Rusana Bejleri. EKSPEDITË UNIVERSITARE NË FSHATIN E VETËM SHQIPTAR NË BULGLARI MANDRICA

 Më 9 e 10 nëntor 2007 një ekip nga dega e “Ballkanistikës” në Universitetin e Sofjes nën udhëheqjen e profesor Petja Asenovës bëri një ekspeditë filologjike deri në fshatin e vetëm shqiptar në Bullgari, Mandrica. Vizita u mundësua në kuadrin e financimit të programit shkencor “Rila” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në grup morën pjesë Rusana Bejleri, pedagoge e gjuhës shqipe, Anton Pançev – politolog-ballkanist dhe Kremena Daneva – studente në magjistraturë.

 

 Legjenda për themelimin e vendbanimit të Mandricës, thotë se këtu, për herë të parë erdhën dy vëllezër, të cilët Vithkuqasit e Korçës i kishin ngarkuar me detyrë që së pari ata vetë të gjejnë një vend sa më të përshtatshëm për sistemimin e tyre. Pasi i ranë në gjurmë këtij vendi në vargmalin e Rodopeve Juglindore, të dy thirrën farefisin e vet, por vala më e madhe e të ikurve nisi atërherë kur nga Vithkuqi vedosi të ikë edhe prifti i fshatit. Një histori tjetër thotë se vëllezërit kanë qenë tre, blegtorë, që kanë ndërtuar një mandër dhe kanë qenë të detyruar të sigurojnë ushqime për ushtrinë turke dhe kjo daton nga fillimi i shekullit 17 nëse jo edhe më herët. Në faqet e botimit vjetor të kolonisë shqiptare në Sofje “Kalendari Kombiar”, në numrin e viti 1910 lexohet një shënim i Hysni Ahmet Frashërit për gjithë grupin e fshatrave që atëherë kishin nën juridiksionin turk. Ai ndër të tjera thotë: Këtu në Adrianopojë (Ederne) gjenden tetë copë fshatra shqiptare, që flasin gjuhën e vet.” Ndër ato fshatra është edhe Ibrik Tepe-ja e Nolit të Madh. Edhe vetë Fan Noli ka lënë disa shënime në këtë drejtim, i cili thotë se këto fshatra janë nga Kolonja. Pas Luftës së Parë Botërore në bazë të marrëveshjeve popullsia u nda dhe u shkëmbye mes Turqisë, Greqisë dhe Bullgarisë, u ndanë edhe shqiptarët e Mandricës Bullgare dhe themeluan fshatin e ri të Mandrës në Greqi. Pikërisht vendosja e kufijve e la Mandricën jo pranë një rruge të madhe por në kufi. Të mbërrish tani nga Sofja deri në fshat është më se e vështirë – 3 orë ederi në qytetin e Haskovos, pastaj 2 të tjerë për në Ivajllovgrad (dikur Ortak-qoj) dhe atje 20 kilometra ku autobusi udhëton vetëm tre herë në javë.

 

Mandricasit e sotëm mbajnë men që fshati i tyre ka patur një gjallëri të jashtëzakonshme. Vërtetë – thonë ata – Mandrica nuk i ngjante një fshati të rëndomtë. Aty bëhej një jetë shumë e organizuar, e qetë dhe e lezetshme. Mandrica kishte çdo gjë, për të cilën ka nevojë njeriu. Atje zejet e veta i ushtronin shumë mjeshtër – këpucarë, rrobaqepës, karrocierë, teneqepunues, bukëpjekës. Njiheshin në gjithë Bullgarinë për rritjen e krimbit të mëndafshit që në dialektin e Mandricës quhen “pipkat” dhe janë një nga zanatet më të vështira në botë. Kishin edhe kinemanë e vet, e cila ishte shumë tërheqëse për kohën e vet edhe për njerëzit që jetonin në qytet. Në kohën e lulëzimit të vetë Mandrica ka patur deri në tre mijë banor, organizohej panair në fshat, kishte nxënës dhe shkollë. Shkolla u çel në vitin 1914. Fillimisht mandricasit e vegjël ishin të detyruar të mësonin në gjuhën greke, apo “hellase” siç thonë ata. Deri në vitin 1925 vepronte si shkollë fillore, kurse më vonë, u shndërrua në tetëvjeçare dhe mësimi zhvillohej në gjuhën bullgare.  Në vitin 1935 regjistrat e shkollës thonë 350 nxënës. Mirëpo dalëngadalë me largimin e të rinjve nga fshati shkolla u shua dhe pas vitit 1990 iu vu dryni përfundimisht. Të shikosh sot godinën e shkollës së braktisur është një trishtim vërtetë i madh.

 

 Mbetet pyetja ku vajtën Mandricasit: Gjithandej në Bullgari për t’u punësuar dhe për t’u shkolluar në qendrat më të mëdha të Bullgarisë. Numri më i madh i mandricasve gjendet në qytetin e Pllovdivit, Filibe në dialekt, por edhe jashtë shtetit në Greqi, Amerikë, Kanada. Tani fshati ka vetëm 70 banorë të përhershëm, shumica prej tyre gra të moshuara mbi 70 vjeç, por duhet theksuar shumë optimiste, të shëndetshme dhe pa asnjë shenje stresi ose depresioni që pësojnë njerëzit në atë moshë në qytet. Mikpritëset e ekipit kësaj radhe ishin së pari Sultana Gramenova dhe pastaj Maria Popova ose Prifti, së cilës sapo i kishin ardhur dy fëmijët me familjet – një vajzë Katja dhe një djalë Vangjel, rreth 50 vjeç. Sultana dhe Maria flisnin ndër vete shqip dhe na treguan se ditët e bukura në stolat  pranë shtëpive grumbullohet gjithë graria e fshatit dhe flet shqip, gjë që është e natyrshme për to.

 

 Për fshatin Mandrica janë interesuar më shumë gjuhëtarët. Pse? Sepse ai fshat, sikurse edhe ngulmimet arbëreshe në Itali ruan forma më arkaike të gjuhës shqipe. Kur dihet sa të pakta janë dëshmitë me shkrim të shqipes para periudhës së Rilindjes, del në pah edhe rëndësia e studimit të dialekteve pa kontakt me shqipen moderne, të konservuara nga periudha të ndryshme historike të zhvillimit të saj. Dialekti i Mandricës është përshkruar me të gjitha hollësitë sistemore nga studiuesja bullgare Bojka Sokollova, e cila ka jetuar një periudhë në fshatë në mes të viteve ’60 për të grumbulluar të dhënat. Botimi është në gjermanisht i vitit 1983. Në vitin 1997 Alush Kamberi dhe Muharrem Idrizi, specialistë nga Maqedonia botuan librin “Katër shekuj të pangjunëzuar”, i cili reflekton jetën dhe kulturën 30 vjet më vonë. Sigurisht më 2007 nuk kishim për qëllim të zbulonim gjëra të reja. Fjalori nuk mund të ndryshonte, as gramatika: mandricasit për shembull i thonë dyshekut “quflek”, gjuhës “gluhë”, folja “flas” atje është “zallahis”, fejohen është “vlohen”, tingulli “dhështë më shumë “z” etj. Ka shumë fjalë me prejardhje turke dhe greke, të cilat nuk përdoren në gjuhën bullgare.

 

Ekipi nuk u habit aspak kur një prej mandricaseve të reja, vajza e Marijes Katja, e martuar në Greqi, përmendi faktin se merret vesh më mirë me arvanitët, banorët më të vjetër shqiptarë në atë vend, sesa me përfaqësuesit e valës më të re të emigracionit. Të njëjtën veçori vuri në dukje edhe i vëllai. Ai ka mbaruar dy fakultete dhe është përgjegjës në rajonin e Policisë në një qytet jugor bullgar. Edhe pse vetë flet shqip rrjedhshëm dhe duket se e ka përvetësuar që në fëmijëri si gjuhë të parë, na tregoi se ka vështirësi me kanalet televizive shqiptare, si edhe gjatë intervistave që i bie rasti në punë. Sigurisht vlerë më të madhe filologjike kanë bisedat spontane midis banorëve kur zhvillohen në shqip. Ju ofrojmë të kaloni disa minuta me dialektin shqiptar të Mandricës siç u inçizua në bisedë të lirshme. Në këtë moment zonja Sultana na tregonte disa fotografi, ose “kuadro” nga pjesëmarrja e grupit folklorik të fshatit në festivalin e autoritetshëm bullgar të Koprivshticës. Në fotografi shiheshin mirë veshjet tipike të 15 grave, kurse e zonja e shtëpisë me pak trishtim na tregonte cilat jetonin akoma dhe cilat jo më:

 

Inçizimet do të deshifrohen sipas sistemit fonetik dhe do të përdoren në kuadrin e projektit bullgaro-francez “Rila” bashkë me materiale nga fshatrat rumune ne Bullgari dhe bullgare në Shqipëri në një analizë më të gjerë për gjuhët e pakicave dhe ndikimet gjuhësore midis gjuhëve. Tema e ndikimit të gjuhës së shtetit ku jeton pakica është shumë interesante jo vetëm për specialistët. Ajo përfshin në rastin konkret të Mandricës fjalët bullgare që folësit përdorin pa dashje kur bisedojnë shqip. Kryesorja që na gëzon shumë është se të paktën në një fshat bullgar nga të gjitha që kanë ekzistuar dikur, shqipja është e gjallë, në të këndohet, tregohen përralla dhe njerëzit komunikojnë me kënaqësi. I falënderojmë dhe iu urojmë jetë të gjatë!